Lajme | Oferta Pune
14242

Ngritën çmimet e konsumit në Kosovë

Çmimet e konsumit në Kosovë që nga viti 2008 janë gjithnjë në rritje. Më së vështiri këtë rritje të çmimeve po e përballojnë qytetarët.

Kimete Ferati thotë se çmimet e larta janë problem për çdo familje në Kosovë, duke pasur parasysh të ardhurat e ulëta që kanë.

“Ka gjana që në Perëndim janë më lirë se këtu. Nuk mundem me ia u plotësu fëmijëve ose të tjerëve ushqimet që nevojiten”, tha ajo.

Rritjen e çmimeve të konsumit e konfirmon edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Çmimet mesatare të vitit 2016, krahasuar me çmimet mesatare të vitit 2015 kishin një rritje prej 0,3 për qind”, tha Ilir Berisha nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për televizionin publik.

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” dyshon se janë rritur çmimet edhe më shumë sesa që thotë ASK-ja. Megjithatë, shton se edhe më këto të dhëna nuk e di se si ia dalin familjet të mbijetojnë.

“Nuk e di si ia del një familje pensionistësh, një familje që ka dëshmorë ose veteranë”, ka thënë ai.