5 Shprehi që ua lehtësojnë rrugën drejt suksesit | Oferta Pune
1814

5 Shprehi që ua lehtësojnë rrugën drejt suksesit

Gjithmonë jemi në kërkim të mënyrave më të lehta për të arritur deri tek suksesi, por cilado rrugë që ne ndjekim, patjetër që ka shumë vështirësi sfiduese deri në arritjen e qëllimeve tona. Prapë, ne kërkojmë të jemi gjithnjë e më të suksesshëm.

Por, në cilindo rast, jemi pikërisht ne ata që mund t’ia lehtësojmë punët vetes. Këtë mund ta bëjmë po t’i krijojmë dhe përvetësojmë pesë shprehi personale:

Klasifikojini gjërat!

Për ta pasur më të lehtë çasjen në aktivitetet e shumëta të projekteve të ndryshme është mirë të krijoni një listë gjithpërfshirëse dhe të ndarë sipas seksioneve më prioritare për ju. Në këtë mënyrë do të dini se me çka të merreni dhe kur. Gjërat lëmsh, rrugë e mjegullt!

“Punën e sotme mos e lër për nesër!”

Jo kot thonë që atë që keni për të bërë sot, bëjeni sot dhe mos ia besoni të nesërmes, sepse e nesërmja mund të mos vijë kurrë. Ndaj, kurrë mos llogaritni në pritjen e “momentit të përsosur” për të bërë atë që keni.

Reflektoni mbi gabimet dhe pranoni kritikat!

Ka shumë rëndësi që pas çdo aktiviteti që përfundoni, ta analizoni punën që keni kryer. Nga kjo mund të nxirren si konkluzione pozitive ashtu edhe negative. Në këtë mënyrë do të keni gjithmonë mundësi dhe hapësirë për t’i përmirësuar apo shmangur gabimet e mundshme në kryerjen e aktiviteteve të ardhshme. Gjithashtu sa më shumë që merrni kritika mbi atë që bëni, është mirë nëse dini si t’i përceptoni ato, për arsye se shumica e projekteve të suksesshme kanë ardhur si rezultat i kritikave të shumta. Më shumë kritika dhe rekomandime, aq më shumë dritare të hapura!

Gjithmonë kërkoni më shumë!

Asnjëherë mos u kënaqni me pak, sidomos nëse një nga aktivitetet apo projektet në të cilat keni qenë të kyçur nuk ka përfunduar si duhet. Pikërisht atëherë ju duhet të nxirrni dhëmbët e vullnetit dhe puëns së palodhshme, sepse vetëm kështu do të arrini të bëheni të suksesshëm në konkurencën e ashpër të tregut.

Lexoni dhe ushtroni!

Ajo që ka shumë rëndësi në këtë pikë është se sa më shumë që i japim vetes hapësirë për të lexuar, qoftë edhe për qejf, do të çlodhemi nga ngarkesat psiqike ditore, e kjo do të na ndihmojë të jemi akoma më shumë të përqendruar në punën që do të bëjmë. Gjithashtu të lexuarit zgjeron njohuritë tuaja dhe sidomos në rastet kur ju punoni me detyra komunkuese me klientët, suksesi është i padiskutueshëm. Të ushtruarit mund të konsiderohet qoftë edhe fizik apo edhe të përsëriturit e shprehive më të mira që juve ua lehtësojnë rrugën drejt suksesit.

Nëse ju do të arrini të krijoni shprehi të tilla, suksesi, në cilindo lloj profesioni që ushtroni, apo që po përgatiteni ta bëni, do të jetë i thjeshtë, i prekshëm dhe tejet i afërt. Në fillim mund të jetë vështirë t’i përmbaheni një rregulli strikt të përsëritjes së kësaj veprimtarie vazhdimisht, por kur ju t’i keni automatizuar këto veprime dhe t’i bëni në mënyrë krejt natyrale, edhe rruga drejt suksesit do të jetë më e shkurtër.