8 RREGULLAT E PASHKRUARA NË VENDIN E PUNËS

SI TË PËRGJIGJEMI NË 10 PYETJET MË TË ZAKONSHME NË INTERVISTË

Nuk ka ndonjë mënyrë se si ta dimë se cilat pyetje mund të parashtrohen saktësisht gjatë një interviste pune. Duke qenë se intervistat e punës dallojnë nga kompania në kompani, edhe pyetjet mund të ndryshojnë. Mirëpo, disa pyetje lehtë mund të prisni që do t’iu bëhen sepse ato tashmë janë bërë të zakonshme në intervista të punës.

Nëse i përgatisni përgjigjet në këto pyetje, do të keni mundësinë të lini një përshtypje të veçantë tek intervistuesi. Nëse jeni shumë i përgatitur dhe jepni përgjigje të duhura, do të jetë shumë më e lehtë ta merrni vendin e punës.

KosovaJob, ju sjellë disa pyetjet më të zakonshme që bëhen në intervista të punës si dhe përgjigjet që mund të sjellin më afër përzgjedhjen për atë vend pune. Ka kompani të cilat mund të mos e bëjnë ndonjërën nga pyetjet e mëposhtme mirëpo këto konsiderohen si pyetjet më të shpeshta, shkruan Akademi Pune.

  1. A mund të na tregoni pak për veten? Kur i përgjigjeni kësaj pyetjeje, tentoni të mos flisni në detaje për veten. Mundohuni t’i tregoni vetëm pikat tuaja kryesore. Fokusohuni në ato pika që lidhen me pozitën e punës për të cilën po intervistoheni. Tregoni se pse ju jeni personi i duhur për atë punë dhe flisni për gjërat kryesore që mendoni se duhet t’i dijë intervistuesi. 
  2. Ku e keni parë shpalljen e punës? Duke u përgjigjur në këtë pyetje, do të keni mundësinë t’i tregoni kompanisë se jeni në rrjedha me të rejat nga kompania. Tregoni sinqerisht se ku e keni parë konkursin, qoftë nëse ua ka treguar një shok, nëse e keni parë në platforma punësimi, rrjete sociale etj.
  3. Çka dini për kompaninë tonë. Kjo pyetje cilësohet si pyetja me e zakonshme në intervista të punës dhe është thuajse e pamundur të mos bëhet. Pothuajse çdo kompani, çfarëdo industrie, do t’ua bëj kandidatëve këtë pyetje. Të gjithë kandidatët inkurajohen të lexojnë paraprakisht rreth kompanisë, të mësojnë më shumë për qëllimet dhe misionin e kompanisë që këto pastaj t’i nënvizojnë në intervistën e punës. Ideale do të ishte nëse një kandidat arrinë t’i lidhë mendimet personale me misionin e kompanisë, kësisoj intervistuesi do të kuptojë se çka e lidhë një kandidat me kompaninë.
  4. Si e kuptoni pozitën e punës? Në këtë pyetje do të keni mundësinë të tregoni se me sa precizitet e njihni rolin i cili do të mund t’iu ofrohet. Definojeni mirë pozitën e punës, flisni për aftësitë që kërkohen për atë pozitë dhe tregoni nëse mendoni që ju i posedoni ato.
  5. Pse e dëshironi këtë punë? Kompanitë duan të punësojnë gjithmonë njerëz të cilët janë të apasionuar pas punës, tregoni se pse personaliteti juaj lidhet shumë mirë me këtë punë, jepni lëvdata kompanisë për punën të cilën e kryejnë. Nëse pozita e punës p.sh lidhet me marrëdhënie me publikun, ju mund të thoni se keni shumë dëshirë të jeni në kontakt me njerëzit.
  6. Pse po e lë punën e tanishme ose pse e keni lënë punën e mëparshme? Edhe kjo pyetje ka shumë gjasa që mund të bëhet. Mundohuni ta ruani anën pozitive dhe kurrë të mos flisni keq për punëdhënësit e kaluar. Këtu mund të tregoni se jeni në kërkim të një pune më sfiduese ose sepse mendoni që në atë pozitë dhe atë kompani do ta gjeni veten më mirë.
  7. Cilat janë dobësitë tuaja? Punëdhënësit duan të dinë edhe për dobësitë e kandidatëve. Mos u ndjeni keq të flisni mirëpo tregoni edhe për masat që keni ndërmarrë ose po ndërmerrni për t’u përmirësuar.
  8. Cilat janë pikat tuaja të forta? Gjithçka që konsideroni si pikë tuajen të fortë, mos ngurroni ta thoni, vetëm mos e teproni sepse mund të dukeni sikur po mburreni. Në pika të shkurtra flisni për disa nga aftësitë e juaja – mundohuni t’i lidhni me rolin për të cilin keni aplikuar.
  9. Cilat janë pritshmëritë e juaja për rrogën? Gjithmonë cekni një shumë, qëndroni në një mes dhe patjetër lini hapësirën për diskutim.
  10.  A keni ndonjë pyetje? Pavarësisht nëse shumicën e gjërave i keni të qarta, mos dilni nga zyra pa e bërë ndonjë pyetje. Kjo do të krijojë bindjen se ju jeni të interesuar për kompaninë dhe rolin që po ofrohet.

Uncategorized