Bizneset njoftohen rreth konceptit të Operatorëve të Autorizuar Ekonomik | Oferta Pune
14306

Bizneset njoftohen rreth konceptit të Operatorëve të Autorizuar Ekonomik

Statusi i Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, i cili që është njëri ndër konceptet kryesore të elementeve të kornizës së standardeve të Organizatës Botërore të Doganave për sigurimin dhe lehtësimin e tregtisë globale dhe rregullimin e raporteve Doganë-Biznes do t’u sjellë përfitime të shumta bizneseve të cilat do të marrin një status të tillë.

Kjo u tha sot nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, Blerim Krasniqi dhe Jashar Goga, gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, të cilët shpalosën edhe kriteret e nevojshme për sigurimin e një statusi të tillë, por edhe përfitimet për bizneset të cilat do të marrin statusin e Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë.

Në anën tjetër, Selim Thaçi, ekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se ky institucion mbështet zhvillimin e konceptit të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, si dhe i ka ofruar mbështetje teknike Doganës për finalizimin e kësaj iniciative.

Gjatë tryezës u tha që përfitimet nga një status i tillë bizneseve do t’u mundësojë : përfitim më i lehtë nga procedurat e thjeshtuara doganore, kontrolle më të pakta fizike dhe të dokumenteve, të lidhura me sigurinë, të lidhura me legjislacionin tjetër doganor, njoftim paraprak në rast të përzgjedhjes për kontroll fizik, njoftim paraprak në rast të përzgjedhjes për kontroll doganor, trajtim prioritar në rast të përzgjedhjes për kontroll, mundësia e kërkimit të vendit specifik për realizimin e kontrolleve doganore, si dhe njohja reciproke në shtetet e treta, përkatësisht në shtetet anëtare të CEFTA-së, e më vonë edhe Brenda vetë Bashkimit Evropian.

Bizneset patën mundësi të mësojnë edhe për kriteret e nevojshme për sigurimin e një statusi të tillë, në mesin e të cilave edhe: përputhshmëria me legjislacionin doganor dhe rregullat tatimore, si dhe mospasja e kundërvajtjeve penale të lidhura me aktivitetin ekonomik, mbajtja e mirëfilltë e regjistrave, solvenca financiare, standardet e dëshmuara praktike të aftësimeve ose kualifikimeve profesionale.