Cilat shprehi rrisin gjasat tuaja për tu punësuar?

Shpesh, të merrni një vend pune që i përshtatet kërkesave tuaja mund të jetë një proces mjaft sfidues. Gjatë kërkimit për punë, ka momente kur ndjeheni sikur aplikimet tuaja nuk po shqyrtohen fare. Dhe kur nuk merrni asnjë përgjigje nga kompania ku keni aplikuar, di të jetë mjaft zhgënjyes.

E vërteta është se edhe rekruterët nuk e kanë të lehtë në përzgjedhjen e kandidatit të duhur. Ata klasifikojnë aplikime të shumta çdo ditë, duke shpresuar që të ngushtojnë kandidatët që plotësojnë më së miri nevojat e tyre.

Pasi të keni gjetur pozita pune për të cilat dëshironi të aplikoni, një nga qëllimet tuaja kryesore si punëkërkues është ta bëni të qartë për ata punëdhënës të mundshëm se pse jeni i përshtatshëm për pozicionin. Nganjëherë mund që t’ju duket e vështirë të dini saktësisht se çfarë do t’ju ndihmojë të dalloheni dhe të rritni gjasat për të marrë një vend pune. Mirëpo ju asnjëherë nuk duhet të dëshpëroheni pasi që studimet thonë se ka disa gjëra që njerëzit bëjnë kur aplikojnë në punë që, në disa raste, rrisin në mënyrë dramatike gjasat e tyre për të marrë një përgjigje pozitive nga punëdhënësit.

Përpiquni të jeni selektiv në punët që aplikoni

Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni kur kërkoni punë është të vlerësoni me kujdes çdo punë për të cilën po aplikoni. Kur shihni një pozitë të lirë pune që ju pëlqen, pyesni veten nëse është një punë për të cilën jeni të kualifikuar dhe vërtetë dëshironi të bëni. Nuk preferohet që të aplikoni për çdo pozitë të lirë pune që shihni, pasi që mund të keni më pak gjasa të merrni përgjigje pozitive nga të gjithë punëdhënësit. Ndërsa, kur aplikoni për punë që përshtaten me përvojën tuaj profesionale shtohen gjasat që të merrni përgjigje pozitive dhe të ftoheni në intervistë.

Në vend që të përqendroheni në sasinë e aplikacioneve që paraqisni, vendosni energjinë tuaj në ekzaminimin e secilës punë me kujdes, në mënyrë që të dorëzoni aplikime me cilësi të lartë që marrin vëmendjen e rekruterëve kur lexojnë aplikimin tuaj. Disa veprime që duhet t’i merrni parasysh përpara çdo aplikimi për punë:

  • Lexoni përshkrimin e punës nga fillimi deri në fund;
  • Identifikoni se çfarë e bën atë postimin për punë tërheqës për ju;
  • Merrni shënime për çdo udhëzim se si të aplikoni;
  • Kontrolloni përgjigjet tuaja dhe drejtshkrimin përpara se ta dërgoni aplikimin.

Kjo formë e aplikimit shkurton kërkimin tuaj të punës në përgjithësi, sepse ju po paraqisni aplikacione të shkëlqyera të cilave punëdhënësit kanë më shumë gjasa t’i përgjigjen.

Mbani të organizuar kërkimin tuaj të punës
Nëse dëshironi që një aplikim për punë të rezultojë i suksesshëm, disiplina dhe ndjekja e hapave të duhur është shumë e nevojshme. Gjithashtu, mos harroni ta përditësoni CV-në tuaj dhe profilin tuaj në LinkedIn (nëse keni një të tillë) duke përfshirë përvojat, trajnimet, edukimin dhe aftësitë që i keni./AkademiPune

Akademi