Në janar të 2017 themelohet Agjencia e të hyrave e Kosovës | Oferta Pune
10430

Në janar të 2017 themelohet Agjencia e të hyrave e Kosovës

Ministria e Financave organizoi sot diskutimin e dytë publik me palët e interesit dhe donatorët për bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një Agjenci të vetme tatimore.

“Synimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Agjencisë së Tatimit dhe Doganës së Kosovës është edhe një sfidë para vetes për të pasur një agjenci moderne tatimore e cila do të sigurojë efikasitet dhe drejtësi për qytetarët dhe bizneset gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre tatimore si dhe për krijimin e lehtësirave për të zhvilluar biznes në shtetin e Kosovës”, kështu u tha sot në tryezën e dytë për Projektligjin për Agjencinë e Tatimit dhe të Doganës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Financave dhe Grupi Koordinues.

Gjatë diskutimit ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se gjatë kësaj periudhe nga diskutimi i parë e deri më tani kanë zhvilluar takime të shumta me palët e interesit.
Njëkohësisht vlerësoj lartë edhe punën e Grupit Koordinues të Ministrisë së Financave, Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës për përgatitjen e këtij Ligji i cili do të dorëzohet së shpejti në Qeveri për miratim.

“Në janar të vitit 2017 do të filloj së zbatuari edhe ky ligj me të cilin themelohet Agjencia e të hyrave e Kosovës ku do të shihen edhe efektet e para të një agjencie të vetme të të hyrave tatimore, qasja ndryshe për qytetarët dhe bizneset, pra do të kemi një modernizim tatimor i cili do të jetë në harmoni me legjislacionin e BE-së si dhe është një nga reformat më të mëdha në Administratën Publike në Kosovë”, shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa kryesuesi i Grupit Koordinues për bashkimin e Doganës dhe ATK-së, Ekrem Hysenaj tha se për ta përfunduar një ligj të tillë i cili ka për qëllim krijimin e një agjencie të vetme të të hyrave është dashur të zhvillohen aktivitete të shumta me të gjitha palët e interesit, ku Grupi Koordinues ka marrë të gjitha sugjerimet dhe e ka bërë draftimin e “Projektligjit për Agjencinë e Tatimit dhe Doganës së Kosovës” sipas të cilit përcaktohen parimet bazë të organizimit, funksionimit, kompetencat, të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, si dhe çështje tjera të cilat lidhen me funksionimin e Agjencisë nga viti 2017 e tutje.

Në këtë Tryezë morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, Grupi Koordinues për bashkimin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës, përfaqësues të Doganës të Kosovës, përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës, përfaqësues të bizneseve, si dhe palë të tjera të interesit.