SI TA SHKRUAJMË NJË LETËR MOTIVIMI PËR PUNË

Çka është një letër motivimi?

Letra e motivimit është një letër e cila shkruhet për të shprehur interesimin për një pozitë të caktuar pune apo edhe kur duam të bëhemi pjesë e trajnimeve ose programeve të ndryshme. Kur një letër motivimi shkruhet për të aplikuar për një vend pune, kandidati nëpërmjet saj duhet të përshkruajë se pse është i interesuar për atë pozitë pune dhe pse ai mund të jetë kandidati më i përshtatshëm për rolin që ofrohet. Një letër motivimi zakonisht i bashkangjitet aplikacionit për punë, bashkë me CV-në apo rezymenë, shkruan Akademi Pune.

Pse ka rëndësi letra e motivimit?

CV-ja është një dokument i shkurtër nëpërmjet të cilit punëdhënesit informohen rreth kandidatëve dhe sigurojnë edhe të dhënat e tyre personale dhe profesionale. Mirëpo, në CV jemi të kufizuar të shprehemi shumë në lidhje me kualifikimet tona. Çdo kompani, institucion, organizatë, ka nevojë të dijë se pse një kandidat është i interesuar për një rol të caktuar, nga buron motivimi i tij, çka mund të ofrojë ai për kompaninë dhe çka e bën atë kandidatin më të mirë për rolin të cilin po e synon. Letra e motivimit shumë shpesh konsiderohet edhe vendimtare për ftesën për intervistë.

Si ta shkruajmë një letër motivimi?

Fillimisht, para se të nisim shkrimin e letrës së motivimit është thelbësore të njihet struktura e saj – pra çka duhet të përmbajë ajo letër. Një letër motivimi duhet të ndahet në tre paragrafë kryesorë:

  • Hyrja
  • Pjesa kryesore
  • Përfundimi

Duhet nënvizuar se letra duhet të ketë edhe një pjesë para-hyrëse. Pra, në krye të letrës sigurohuni t’i shkruani të gjitha informatat personale apo cila është pozita për të cilën jeni duke aplikuar. Shkruani të dhënat tuaja si: emrin dhe mbiemrin, emrin e kompanisë/institucionit ku po aplikoni, detajet e kontaktit duke përfshirë edhe rrjetet sociale dhe e-mailin tuaj.

Hyrja. Paragrafin hyrës niseni duke iu drejtuar kompanisë, grupit, personit etj, me një përshendetje. Vazhdoni duke treguar se pse jeni të interesuar t’i bashkoheni atij ekipi, nga buron motivimi juaj.

Një shembull i hyrjes:

I/e nderuar (emri i personit) ose Përshendetje KosovaJob,

Jam shumë i/e lumtur që kam mundësinë të aplikoj për rolin e (shkruani pozitën e punës)…. Ose: Dua të shpreh interesimin tim për të aplikuar për pozitën/ programin…në X kompaninë (shkruani edhe vendin ku po aplikoni).

Pjesa kryesore apo mesi i letrës. Kjo pjesë konsiderohet thelbësore sepse me atë se çka do të shkruani këtu ju mund të fitoni vëmendjen e punëdhënësit. Në këtë pjesë, mundohuni të përdorni sa më shumë fakte, flisni për arritjet tuaja, tregoni se çka mund t’iu dallojë juve nga të tjerët kandidatë etj.

Përdorni fjali si : Unë e kam vërejtur interesimin tim për fushën e dizajnit qysh kur nisa praktikën e parë në X kompaninë. Puna në një biznes të vogël ishte shumë frytdhënëse për mua dhe më bëri të kuptoj se…

Unë tashmë dua të bashkohem në një mjedis dinamik dhe të fitoj sa më shumë njohuri e detaje rreth programimit. Dua të jap dhe të marrë gjëra cilësore nga një mjedis profesional siç është kompania juaj.

Përfundimi. Në këtë pjesë mundohuni të përmbledhni atë çka u tha në letër, duke përdorur shprehje si: Unë besoj se jam një kandidat i përshtatshëm për kompaninë tuaj sepse (përmendni se çka ju lidhë me kompaninë dhe çka synoni të ofroni në kompani). Në fund, falenderojeni lexuesin për kohën dhe përmbylleni letrën me fjali të tilla si: Shpresoj të më ofrohet mundësia e intervistimit / jam shumë entuziast të paraqitem në intervistë dhe të mësoj më shumë detaje rreth ketij roli, etj ,shkruan Akademi Pune.

Kur e shkruani një letër motivimi tentoni të ofroni sa më shumë material bindës që punëdhënësi juaj potencial t’iu ftojë në një intervistë. KosovaJob ju sjellë disa këshilla se në çka të fokusoheni më shumë në letrën e motivimit:

  • Letra gjithmonë le të jetë personale, mos harroni të shkruani emrin dhe mbiemrin se kujt po ia drejtoni letrën.
  • Kushtojini shumë rëndësi gabimeve gramatikore, janë të patolerueshme.
  • Jepni shembuj nga puna juaj dhe jo vetëm fjali, (psh mos thoni që ju keni aftësi të mira udhëheqjeje por tregoni se çka keni arritur të bëni me këto aftësi).
  • Tentoni të jeni origjinalë, mos i kopjoni letrat prej të tjerëve.
  • Ikni nga klishetë.
  • Hulumtoni sa më shumë lidhur me kompaninë, vlerat, vizionin, misionin.
  • Rrëfeni diçka, njerëzit kanë shumë dëshirë të lexojnë rrëfime, tregoni se si keni arritur të tejkaloni një sfidë, çka i keni dhënë kompanisë etj.

Pavarësisht që letra e motivimit nuk është diçka e lehtë për t’u shkruar, në tregun e sotëm të punës, këto lloje letrash janë thelbësore për një punëdhënës.

KosovaJob, sjellë edhe një shembull të plotë se si mund të duket një letër motivimi:

I/e nderuar (shkruani emrin dhe mbiemrin e personit të cilit i drejtoheni apo kujt i referohet letra, nëse nuk e dini se kush do ta pranojë letrën, përdorni zotëri / zonjë)

Po iu shkruaj për të shprehur interesimin tim për pozitën e Menaxherit të Restaurantit në kompaninë (shkruani emrin e kompanisë ku po aplikoni). Përvoja ime dhe aftësitë e mia lidhen shumë mirë me pozitën për të cilën ju jeni duke kërkuar staf.

Si menaxher në X kompaninë (shkruani përvojën tuaj në një kompani të mëparshme dhe rezultatet tuaja), unë kam dëshmuar të jem produktiv dhe shumë entuziast në punë.  Vlerat e mija i kam dëshmuar edhe duke trajnuar ekipin se si bashkërisht të arrijmë synimet në shitje për secilin vit, çka gjithmonë ka rezultuar të ketë sukses, gjë që e konsideroj si një ndër arritjet e mëdha të mija gjatë detyres si menaxher. 

Kompania juaj do të mund të përfitonte nga unë nëse bëhem pjesë e ekipit ngase konsideroj të jem goxha detajist/ e, pra kam një sy të mprehtë që të jemi sa më profesionistë dhe të kemi një nivel të lartë të profesionalizmit si ekip, nga etika ime në punë dhe aftësite e mija të lidershipit, si dhe jam i/e gatshëm/gatshme të punoj nën presion.

Unë dëshiroj të bëhëm pjesë e ekipit tuaj sepse këtë e konsideroj një mundësi shumë të mirë ku mund të jap kontributim tim dhe të fitoj shumë nga cilësia dhe profesionalizmi që e karakterizon kompaninë tuaj.

Do të ishte një privilegj për mua të kem mundësine të diskutoj më detajisht këtë pozitë pune në një intervistë të mundshme.

Falemnderit shumë për kohën tuaj!

Përzemërsisht,

(Emri juaj)

Letër motivimi për pozitën e Dizajnerit Grafik:

Letër motivimi për pozitën e Specialistit të Marketingut:

Letër motivimi për pozitën e Agjentit të Thirrjeve:

Uncategorized