SI TË GJENI PUNË DHE PA PASUR PËRVOJË PUNE ?

Shumë njerëzve iu duhet kohë e gjatë që të marrin një vendim rreth karrierës së tyre apo edhe të gjejnë një vend pune. Kjo është akoma më e vështirë kur nuk keni përvojë pune apo jeni në fillim të karrierës. Gjetja e një pune të re nuk është një proces shumë i thjeshtë. Mirëpo, ka disa mënyra se si mund të kyçeni në treg të punës edhe nëse nuk keni përvojë, shkruan Akademi Pune.

  • Praktikat me pagesë

Hulumtoni rreth praktikave me pagesë, apo thjesht kontaktoni një kompani të caktuar dhe shprehni dëshirën për të kryer një praktikë në atë kompani. Praktika është një mënyrë shumë e mirë për të filluar karrierë, edhe pa pasur kualifikime. Duke e kryer një praktikë, ju mund të fitoni goxha njohuri në një fushë të caktuar. Ka edhe raste kur të rinjve iu duhet medoemos të kryejnë një praktikë, vetëm për t’u bërë pjesë e kompanisë.

  • Rrethi i njerëzve që njihni

Shpeshherë, punëdhënësit dinë të jenë edhe shumë kërkues në lidhje me kandidatët, kualifikimet apo përvojat e tyre. Ajo çka shumë njerëz e anashkalojnë, është ruajtja e kontakteve. Rrethi i njerëzve që keni krijuar ndër vite, mund t’iu ndihmojë të kyçeni në një fushë për të cilën keni interes. Prandaj, ruani kontaktet me njerëz.

  • Aftësitë tuaja

Identifikoni se cilat janë ato aftësi që ju posedoni dhe që mendoni se do të mund t’iu shërbejnë shumë mirë në karrierë. Nënvizoni të gjitha aftësitë në CV-në tuaj, elaborojeni se përse këto aftësi iu bëjnë një kandidat të duhur për pozitën që ofrohet. Kur krijoni CV-në, mundohuni ta vini veten në pozitën e atyre që do t’iu intervistojnë. Pse mendoni që ata duhet t’iu punësojnë juve? Kjo duhet të reflektojë gjithçka që shkruani në CV dhe në letrën e motivimit, si dhe ato që do të thoni në intervistën e punës.

  • Rregullimi i CV-së tuaj

Të gjithë punëdhënësit dëshirojnë të dinë historitë e kandidatëve që i intervistojnë. Ju mund të flisni rreth kurseve në të cilat keni marrë pjesë, trajnimeve, seminareve, etj. Mos harroni se punëdhënësit jo gjithmonë kërkojnë përvojë pune. Shumë prej tyre, përqëndrohen tek aftësitë e kandidatit për të sjellë diçka të re në kompani.

Uncategorized