Si të mbijetoni në një ambient pune negativ?

Në çdo ambient të punës, mund të ketë ditë që janë më stresuese se zakonisht. Mirëpo, në qoftë se stresi që vjen nga puna bëhet i shpeshtë dhe shëndeti juaj përkeqësohet, atëherë duhet të ndërmerrni masa sa më shpejt.

Si ta kuptoni nëse po punoni në një ambient të keq?

Nëse jeni duke punuar në një ambient të pakëndshëm, mund t’ju paraqiten disa shqetësime. Duke dhënë përgjigje në pyetjet e mëposhtme, mund ta kuptoni më mirë se në çfarë situate ndodheni.

A flini mirë gjatë natës dhe bëni rregullisht të paktën 7 orë gjumë?

A ushqeheni mirë? A hani më shumë se që duhet apo nuk keni fare oreks?

A ndjeheni të sigurt në shtëpi dhe në punë?

Nëse përgjigjet në këto pyetje janë shqetësuese, atëherë do të duhet ta shqyrtoni ambientin ku punoni. Kjo, sepse mjedisi i punës mund të jetë duke ndikuar jashtëzakonisht keq në shëndetin tuaj.

Disa nga simptomat që mund të shfaqen:

Punonjësit janë të sëmurë gjithnjë.  Ambientet negative të punës sjellin lodhje, stres dhe shqetësime tek punonjësit. Nëse punonjësit janë vazhdimisht të sëmurë dhe nuk vijnë në punë apo vijnë në punë dhe janë përsëri të sëmurë, atëherë kjo është një shenjë që ambienti është shndërruar në diçka totalisht të dëmshme për shëndetin tuaj.

Mungesë entuziazmi. Nëse ju dhe kolegët tuaj jeni vazhdimisht të pakënaqur, nuk ndjeheni të lumtur që punoni aty dhe shumë rrallë buzëqeshni, kjo rezulton në atë që ambienti i punës nuk është i mirë.

Mungesë komunikimi apo komunikim negativ. Nuk informoheni saktë rreth punës suaj? Nuk merrni ndonjë reagim nëse e keni përfunduar punën si duhet ose jo? Punoni gjithmonë shumë dhe nuk merrni reagime pozitive? Nëse përgjigjeni me jo në të gjitha pyetjet e mësipërme, gjithsesi duhet ta konsideroni edhe njëherë vendin tuaj të punës.

Thashetheme. Ambient negativ është gjithashtu edhe nëse kolegët nuk janë shokë me njëri tjetrin dhe ka shumë thashetheme apo gjëra të pahijshme brenda kolektivit.

Çka duhet të bëni për të mbijetuar në një ambient të punës negativ?

Fillimisht, le të qartësojmë se çka nënkupton një ambient i punës negativ. Një vend toksik i punës mund të quhet çdo ambient ku puna, atmosfera, njerëzit, ose ndonjë kombinim i këtyre gjërave shkaktojnë stres dhe shqetësime në jetën tuaj.

Në vijim, ju sjellim disa këshilla se si të tejkaloni problemet në ambiente të tillë.

  1. Pas punës, bëni diçka që nuk lidhet me punën tuaj dhe ua heq stresin. Konsideroni të bëni gjëra që pëlqeni sepse në këtë formë do të mund ta hiqni stresin. Lexoni ndonjë libër që ju pëlqen, merruni me sport, mësoni diçka të re.
  2. Gjeni njerëz që ndjehen sikur ju. Mundohuni të ndani këshilla me njerëzit që ndjehen sikur ju dhe të zhvilloni plane se si mund ta largoni negativitetin brenda ekipit.
  3. Krijojeni një listë me gjërat që duhet t’i bëni. Kur jeni të organizuar mirë, nuk do të keni kohë të merreni me gjëra negative.
  4. Largohuni. Ka shumë gjasa që nëse punoni mirë me veten tuaj dhe ndihmoni në përmirësimin e atmosferës në mjedisin e punës, gjithçka do të përmirësohet. Mirëpo, nëse nuk shihni shpresë, filloni kërkimin e një pune të re.

Uncategorized